Transmetuar më 19-10-2021, 17:02

Kur kanë kaluar vetëm pak ditë, dalin detaje të reja në lidhje me ekzekutimin mafioz të ish-anëtarit të bandës së Lushnjes, Alban Semaku në Peqin. 38-vjeçari që njihej edhe me emrin Elton Kinezi u gjet i vrarë me armë zjarri ditën e diel pranë lumit Shkumbin.

Semaku dyshohet se është nxjerrë në pritë nga persona që nuk janë identifikuar. Po i njëjti burim theksoi se personi që e ka nxjerrë në pritë, duke e çuar në vendin që u ekzekutua sipas të gjitha gjasave ka qenë i njohur i tij. Nuk përjashtohet mundësia që në drejtimin e makinës që dërgoi Semakun pranë lumit Shkumbin të ketë qenë një femër.

Në momentin që ka mbërritur në vendin ku u gjet i vdekur, 38-vjeçari është përballur menjëherë me autorët të cilët dyshohet të kenë qenë të fshehur në shkurret ku u gjet pa jetë. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes por dhe nga dinamika e ekzekutimit dyshohet që viktima ka tentuar të largohet duke kaluar murin por nuk ka mundur. Kjo vërtetohet nga këqyrja e vendit të ngjarjes ku janë konstatuar njolla të shumta gjaku në një distancë të gjatë çka bën që grupi hetimor t’i mëshojë këtij varianti.

Ajo që e përforcon më shumë këtë variant është fakti që dy nga katër gëzhojat të dyshuar të kalibrit 9 mm të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe sekuestruar. Nga dëshmitë e banorëve të zonës nuk janë dëgjuar të shtëna çka ngre dyshime të forta se autorët kanë qëlluar me një armë me silenciator.