Transmetuar më 20-10-2021, 08:44

Sulmi fizik nga kampioni i MMA, Conor McGregor kundër Francesco Facchinetti, DJ i njohur italian, në një hotel në Romë është ende duke u diskutuar. "Ai që sillet si McGregor, në botën tonë konsiderohet mbeturinë.

Ne jemi të vetëdijshëm se grushti ynë është si një armë, – thotë boksieri Daniele Scardina, mysafir i “Radio 105”. – Të dielën u zgjova, mora telefonin, pashë historinë e Francesco dhe në grupin tonë të përbashkët të komunikimit shkrova: më thuaj që është shaka.

Janë gjëra të tmerrshme, ne boksierët, sportistët pritet të japim shembullin pozitiv në shoqëri. Ne duhet të jemi shembull edukimi, bashkimi, gjë që shumë njerëz nuk e bëjnë. Edhe një kampion si Conor McGregor duhet të jetë një shembull i shkëlqyer, pasi miliona njerëz e ndjekin atë.

Ajo që bëri ai është një marrëzi e tmerrshme, – vazhdon ish i dashuri i Diletta Leotta (gazetares seksi sportive italiane), i cili lufton në kategorinë e supermediumit. – Kur dëgjova për këtë histori, i vura vizën një miti.

Nuk mund të shpjegohet, sepse ky sport të jep disiplinë, të jep edukim, të jep respekt. Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë, unë kurrë nuk do të bija pre e një provokimi, kurrë nuk do ta lejoja veten të ngrija duart kundër një personi".

Scardina, me nofkën “King Toretto”, e përfundon analizën e tij mbi rolin e sportistëve në raport me publikun: "Qëllimi im është të bëhem kampion bote, të jem shembull për të rinjtë, për të moshuarit, për njerëzit që kanë një ëndërr dhe mua të më shohin si një pikë referimi. Qëllimi im sportiv është të jem në gjendje të luftoj kundër një boksieri të kalibrit të Canelo Alvarez”.