Transmetuar më 20-10-2021, 12:47

Juan Bernabè, trajneri spanjoll i shqiponjës së Lazios (Olimpia), pas ndeshjes së fundit të Serie A, të fituar nga bardhekaltrit ndaj Interit, "u argëtua" ekstremisht me disa tifozë, duke bërë gjeste dhe veprime krejtësisht të ndaluara.

Tifozët e filmuan me celular teksa po i përshëndeste me gjeste fashiste, shenjë e qartë e himnizimit të epokës së Duçes prej tij. Kjo video turpëron jo vetëm autorin, por edhe krejt klubin e Lotitos dhe Igli Tares.

Përshëndetja u bë para tifozëve të tribunës “Tiber” në stadiumin “Olimpico”, shoqëruar me fjalët "Duçe, Duçe". Me siguri, pas publikimit të kësaj videoje, Juan Bernabè, "babai" i shqiponjës “Olimpia”, e cila fluturon mbi “Olimpico” të Romës para ndeshjeve të Lazios, do të ndëshkohet.

Si fillim, klubi bardhekaltër e pezulloi atë, por organet disiplinore të FIGC pritet të jenë shumë më të ashpra. Nuk ka vonuar edhe reagimi kundërshtues ndaj përshëndetjeve të tilla. Kështu, presidentja e Unionit të Komuniteteve Hebraike Italiane, Noemi Di Segni, kërkoi reagim urgjent të autoriteteve:

"Përpara shfaqjes së gjesteve dhe simboleve që evokojnë idealet fashiste nuk mund të ketë paqartësi dhe hezitim. Sjellja e trajnerit të shqiponjës ‘Olimpia’ të Lazios, e përjetësuar në një video, që është bërë ‘virale’, nuk lë vend për dyshime. Shoqëria dhe Federata të ndërhyjnë me urgjencën dhe efektivitetin më të madh. Larg fashistët dhe urrejtësit nga bota e futbollit!"