Transmetuar më 20-10-2021, 15:53

Gjumë i trazuar në prag të ndeshjes kundër Manchester United për Atalantën. Dhe po flasim për Ligën e Kampionëve, kompeticionin më madhor të klubeve në Europë.

Gruaja e Malinovskyi, mesfushorit zikaltër, Roksana, zbuloi atë që ndodhi në hotelin ku qëndroi mbrëmë ekipi i Gasperinit.

"Natë ferri e Atalantës në Manchester, – lexohet në Instagramin e Roksana Malinovska. – Gjatë gjithë natës në hotel një sirenë ra me fuqi të plotë 5 herë. Ndodhi pikërisht kur ekipi mbërriti aty dhe vetëm natën!"

Gruaja e ukrainasit shtoi: "A mendoni se ky ishte një aksident? Jo, unë mendoj ndryshe. Nga një pritje e tillë ‘e ngrohtë’ e vendase nata ishte e tmerrshme për lojtarët tanë.

Shpresoj se tifozët tanë do ta mbështesin ekipin në ndeshjen e kthimit në Bergamo dhe ndoshta e njëjta gjë do të ndodhë papritur në hotelin e tyre në Itali”.