Transmetuar më 21-10-2021, 08:53

Juventusi kishte nevojë për një fitore, që t’i mbante rivalët në distancë në Grupin H, për të vazhduar udhëtimin me pikë të plota dhe hedhur një hap themelor drejt kualifikimit në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve.

Fitorja erdhi në fushën e Zenit, falë një goli i shënuar në minutat e fundit të ndeshjes nga Dejan Kulusevski. Massimiliano Allegri, duke folur për mikrofonat e “Amazon Prime Video”, pas bilbilit të fundit të trefishtë, analizoi gjithçka që ndodhi:

"Rezultati është i shkëlqyeshëm, sepse të kesh nëntë pikë pas tri ndeshjeve të jep mundësinë të luash në raundin tjetër. Sidoqoftë, ne nuk bëmë një paraqitje të mirë. Ishim pak të ngadaltë dhe bëmë shumë gabime nga pikëpamja teknike. Unë do të thoja se ishte një performancë që na lejon të ngremë nivelin e vëmendjes para ndeshjes së të dielës kundër Interit”.

Trajneri livornez shpjegoi se cili duhet të jetë hapi i radhës, që Juventusi duhet të ndërmarrë: “Ne duhet të përmirësojmë fazën e posedimit, veçanërisht kur topi është afër zonës së penalltisë. Duhet të bëjmë zgjedhje më efikase dhe ta patrullojmë fushën më mirë. Duhet të bëjmë më shumë dy kundër një në krahë, edhe nëse hapësirat janë të ngushta. Ka ende vend për përmirësim".

Juventus në këtë periudhë po bën pa Dybala: “Të gjithë lojtarët mund të përmirësohen në aspektin e zgjedhjeve. Paulo është një lojtar i aftë mes linjave, por Kulusevski, Bernardeschi dhe Chiesa mund të bëjnë më mirë. Duhet të jemi më të pastër mes linjave”.

Allegri nuk do që ne të flasim për ‘Juventusin e tij’: “Nuk më pëlqen, sepse kam një skuadër të rëndësishme, me lojtarë që mund të përmirësohen shumë. Sonte luajtëm keq, por fituam dhe kjo mund të na ndihmojë për të dielën”.