Transmetuar më 21-10-2021, 12:36

Arrestohen trafikantë e policë në Lezhë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka reaguar lidhur me operacionin anti-kanabis, ku të përfshirë në kultivimin e kësaj bime narkotike ishin edhe disa efektivë policie.

Bëhet fjalë për Zamir Mehaj, Alfred Ndoj, Fatmir Alija dhe Petrit Florini, për të cilët është dhënë masa “detyrim paraqitje”. Ndërkohë në kërkim është shpallur K. B., 29 vjeç, me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Pukë, i dyshuar për favorizim të “Kultivimit të bimëve narkotike” kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ky i fundit nuk është gjetur në banesë.

SPAK sqaron se hetimi ka zgjatur për rreth një vit dhe është arritur të dokumentohet veprimtaria e disa grupeve kriminale të përfshira në kultivimin e bimëve narkotike në zonat malore ndërmjet territorit të bashkive Pukë dhe Mirditë, të cilët kanë bashkëvepruar me njëri-tjetrin për të siguruar shitjen e lëndëve narkotike, si dhe kanë siguruar mbështetje për të vazhduar këtë veprimtari nga strukturat e policisë, të cilët i informonin për kontrollet që do ushtroheshin në zonë.

Nga ana e policisë gjyqësore janë ekzekutuar masat e sigurimit “arrest në burg”, për personat nën hetim L.N; Gj. K.; M.RR.; Z.L.; I.P.; L.K.; T.L.; A.K. dhe Y.V.; Ndërkohë që janë shpallur në kërkim personat nën hetim T.SH.; G.M.; G.T., si dhe K.B., ky i fundit me detyrë oficer i policisë gjyqësore. Janë ekzekutuar gjithashtu masat e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, për shtetasit S.L. dhe E.L.

Të gjithë shtetasit e mësipërm janë me cilësinë persona nën hetim për kryerjen e veprave penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.