Transmetuar më 21-10-2021, 12:45

Gigi Buffon nuk ka ndërmend “t’i varë dorezat në gozhë”. I lumtur që ka pranuar sfidën e re me Parma, ai ende dëshiron të bëjë diferencën në fushë: "Nuk mendoj për datën e pensionimit nga futbolli. Të jem i sinqertë, veçanërisht në një vit e gjysmë ose dy të fundit, po përjetoj mirëqenie të plotë fizike dhe mendore. Kjo më bën të shkoj me qejf në fushë, gjërat janë të lehta për mua, si 10 apo 15 vite më parë”.

Për mikrofonat e “Prime Video”, portieri veteran italian, 43-vjeç, foli për mikun e tij dhe ish-shokun e skuadrës, Giorgio Chiellini. Ky i fundit, pavarësisht moshës së tij, është ende një pikë referimi në mbrojtjen e Juventusit:

"Ka pasur disa lëndime, që e kanë penguar, por kur hyn në fushë është gjithmonë dy centimetra mbi të tjerët. Kësisoji, nuk e kuptoj cila është arsyeja pse duhet të ndalojë së luajturi futboll. Siç them gjithmonë: mësuesit dhe profesorët e mirë nuk duhet t’i nxirrni në pension të parakohshëm. Prej tyre mund të mësojnë shumë më të rinjtë. Këtë rol e ka dhe kapiteni te Juventusi”.

Pas një fillimi jo brilant të sezonit, Juventusi u rikthye në rrugën e duhur, gati për të rifituar pikë dhe pozicione në renditje. Buffon ka analizën e tij: “Nëse do të luaja kundër Juventusit sot, do të mendoja se është një ekip, një klub që gjithmonë duhet respektuar maksimalisht. Në momentin që të gjithë shpresojnë dhe dëshirojnë që koka e Juves të jetë e ulur, reagimi bardhezi vjen imponues".

Disa fjalë edhe për Szczesny, trashëgimtari i tij në portën bardhezi: "Ai vjen nga tri ose katër vite, në të cilat bëri shumë mirë, u tregua portier i besueshëm, dhe kjo është e mjaftueshme. Kur ndërpreva marrëdhënien time me Juven, Szczesny ishte zgjedhja më e mirë e mundshme në treg”.