Transmetuar më 21-10-2021, 12:50

Është zbardhur dëshmia e personit që shoqëronte 4 turistët rusë që humbën jetën në hotel "Gloria" në Kavajë. Një 30-vjeçare ukrainase, që ishte operatorja e tyre turistike ka treguar para hetuesve itenerarin e tyre në Maqedoninë e Veriut, kthimin në Shqipëri dhe ushqimet që kishin ngrënë. Maria nga Ukraina u ka treguar hetuesve me detaje orët e saj të fundit me turistët rusë.

Sipas mediave Maria, që punon si guidë turistike prej disa vitesh në Shqipëri, thotë se Sergei e Natalia Burenkov, vajza e tyre Ekaterina dhe dhëndri Nikita Belousov ishin shumë të kënaqur me udhëtimin dhe nuk kanë treguar asnjë shenjë shqetësimi shëndetësor apo të ndonjë natyre tjetër. Ajo ka treguar se më 15 shtator, në orën 7 të mëngjesit, familja e Sergeit, së bashku me 4 turistë të tjerë nga Rusia nga janë nisur nga Qerreti në drejtim të Ohrit, në Maqedoni. Fillimisht kanë ndaluar në një auto-grill, në dalje të Librazhdit, ku secili ka konsumuar ushqimet që kishin marrë me vete.

Pas kësaj ata kanë kaluar kufirin dhe rreth orës 13 të mesditës së të premtes janë ulur në një restorant në qendër të Ohrit. Maria ka deklaruar se të gjithë pjesëtarët e grupit kanë porositur thuajse të njëjtat ushqime- piskavica, pak peshk dhe disa prej tyre kanë marrë edhe nga një gotë raki. Ajo ka treguar se gjatë kohës që shoqëronte grupin ku ishin edhe katër turistët rusë, nuk ka dalluar ndonje shenjë që ata ishin persona që kishin varësi nga alkooli apo lëndë të tjera. Thuajse të njëjtat deklarime kanë dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore edhe 4 shtetasit e tjerë rusë, të cilët udhëtuan së bashku me familjen Burenkov.

Hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe deri më tani ka dyshime se vdekja e tyre ka ardhur për shkak të klorit, por kjo ende nuk është verifikuar plotësisht. Kujtojmë se në fillim u tha se turistët kishin ndërruar jetë prej asfiksimit në sauna, ose konsumimit të kokainës, por këto teori u hodhën poshtë dhe deri më tani ka mbetur vetëm ajo e asfiksisë nga klori. Viktima mbetën çifti Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, dhëndri i tyre, Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe vajza e tyre, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.