Transmetuar më 01-11-2021, 14:47

Profesorët në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, prej katër ditësh po bojkotojnë procesin mësimor, në shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës së emërimit të drejtoreshës së re Fahrije Retkoceri duke thënë se është emëruar jashtëligjshëm.

Retkoceri ka folur për Ekonomia Online lidhur me këtë çështje, duke deklaruar se për shkak se është e padëshiruar nga mësimdhënësit sepse është femër. Madje ka thënë se nga ta ka marrë edhe kërcënime me jetë.

“Nuk është e drejtë, nxënësit duhet të kthehen në bankat shkollore, dhe ajo çfarë po ndodh nuk është kompetencë e mësimdhënësve e as e imja, por janë organet kompetente më lartë. Arsyeja përse jam e padëshiruar për ta është se jam femër”, ka deklaruar ajo.

“Kam pasur takime dhe jam kërcënuar nga ta dhe tani jam larguar nga takimi me ta. Kërcënim që nuk guxon me hy brenda, kjo është salla jonë e shumë kërcënime tjera. Unë e kam një kontratë dhe nuk kam dashur të dal para mediave dhe t’i trazoj nxënësit dhe prindërit e sidomos familjen time, edhe kjo ka qenë vetëm pse jam femër”, ka thënë Retkoceri.

Ajo ka apeluar që “mos të manipulohen nxënësit dhe prindërit nga një grup i caktuar, ndërsa zgjidhjen po e bëjnë se bashku ministria e Arsimit dhe komuna e Prishtinës”.