Transmetuar më 01-11-2021, 19:02

Kush mund ta zëvendësojë Zoran Zaev në qeveri dhe kush në parti?

Përmenden disa emra në qeveri si pasardhës të mundshëm, duke përfshirë ministrin e Brendshëm Oliver Spasovski, ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyçi.

Fitorja e Maksim Dimitrievskit, i cili si kandidat i pavarur ishte kundërshtar i kandidatit të LSDM-së në Kumanovë, konsiderohet si disfatë jo vetëm e kundërshtarit të tij Oliver Ilievski, por edhe e Oliver Spasovskit, gjë që i zvogëlon dukshëm shanset e tij, shkruan Veçer i Shkupit.

Portali i gazetës së Shkupit shkruan se pas zjarrit në qendrën e COVID-it në Tetovë, ku u dogjën 14 persona, rejtingu dhe besueshmëria e Venko Filipçe, papritur ra, gjë që dobëson pozitën e tij si pasardhës i mundshëm i Zaevit.

Zgjedhja e Bytyçit, i cili është pjesë e lidershipit të lartë partiak të LSDM-së, do të reflektonte, thonë ata, multietnicitetin e partisë, por atij i mungon përvoja e gjatë dhe lidhjet e forta me strukturën partiake.

Veçer i përmend Sanja Lukarevskën dhe zëvendëskryeministrin Ljupço Nikolovski si zgjidhjen e fundit të mundshme për postin e kryeministrit.

Partia, thonë ata, është e kënaqur me punën që ka kryer Lukarevska si drejtoreshë e Drejtorisë së të hyrave publike, por pyetja është nëse kjo do të ishte më mirë për pozitën udhëheqëse në Qeveri apo për postin e kryeministrit.

Nikolovski, shtojnë ata, suksesin më të madh në parti e ka arritur me ardhjen e Zaevit në krye të LSDM-së, kur u bë shef i kabinetit dhe njeri me besim të madh, ndaj vlerësohet se shanset e tij janë mjaft solide.