Transmetuar më 01-11-2021, 19:53

Aleatët në koalicionin qeveritar i kanë kërkuar Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev që të rimendojë dorëheqjen dhe të vazhdojë të drejtojë qeverinë, pavarësisht humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit vendore.

Zëvendëskryeministri, Artan Grubi pas takimit me koalicionin qeverisës ka thënë se të gjithë aleatët njëzëri janë shprehur se deklarata e së dielës e kryeministrit Zaev për dorëheqje ka qenë e nxituar.

Prandaj, ata si aleatë i kanë kërkuar të mos japë dorëheqjen, sepse sipas tij, këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë me mazhorancën parlamentare, por kanë qenë zgjedhje vendore. Ai po ashtu shtoi se BDI në këto zgjedhje ka dalë edhe më e fortë pasi në këto zgjedhje ka arritur të marrë 125 mijë vota, më shumë se të gjitha partitë e tjera shqiptare të marra së bashku.

Thirrje për të mos dhënë dorëheqjen kanë bërë edhe nga Lëvizja Besa, që në zgjedhjet e korrikut të vitit të kaluar ishte pjesë e koalicionit “Mundemi” së bashku me LSDM-në e drejtuar nga Zaev.

Takimi i partnerëve të koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut ka zgjatur rreth tre orë. Të gjithë partnerët e koalicionit thanë se cilado qoftë vendimmarrja e Zaev, zgjedhje të parakohshme nuk do të duhet të ketë. Sipas tyre, zgjedhjet duhet të mbahen në 2024.

Një proces më i hershëm, partnerët qeverisës thonë se dëmton përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për integrimin në Bashkimin Europian. Ata bëjnë thirrje që tashmë përpjekjet e Qeverisë nuk duhet të jenë te mbajtja e zgjedhjeve, por zgjidhja e ngërçit me Bullgarinë për hapjen formale të negociatave.