Transmetuar më 10-12-2021, 22:02

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian të caktojë datë për fillimin e negociatave për të dy vendet, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pa i ndarë ato. Këtë për Zërin e Amerikës e ka deklaruar zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit.

“Edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut kanë sjell vendime të vështira, reforma thelbësore dhe të dyja meritojnë të ecin përpara në rrugën e tyre drejt BE-së”, thanë nga Departamenti Amerikan i Shtetit

Ky qëndrim i SHBA-së vjen dy ditë pasi qeveria e përkohshme në Bullgari deklaroi se Shqipëria është e gatshme për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, por jo edhe Maqedonia e Veriut. Edhe autoritetet e BE-së nuk kanë qenë dakord me ndarjen e Shkupit dhe Tiranës por kanë kërkuar trajtimin e tyre në pako.

Ndërkohë, Franca e cila merr presidencën e BE-së nga 1 janari për gjashtë muajt e ardhshëm njoftoi angazhim më të madh për përparimin e Ballkanit Perëndimor. Këtë e bëri të ditur Presidenti francez Emanuel Makron gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës franceze.

“Historia përsëritet ndaj sot kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor. Atje duhet të zbatojmë politikën e angazhimit të ri, por edhe investime në mënyrë që të favorizojmë integrimin ekonomik të rajonit, ndihmojmë shkëmbimin e njerëzve, zgjidhim çështjet e pakicave dhe të luftojmë kundër ndikimeve dhe manipulimeve që janë pasojë e angazhimit të fuqive që përmes Ballkanit duan ta destabilizojnë Evropën”, tha Emanuel Makron, President i Francës

Një ditë më parë, qeveria në Shkup pranoi se ka një iniciativë franceze për t’i ulur në tryezë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut të gjejnë një zgjidhje për kontestin mes tyre. Qeveria në Sofje e mohoi këtë. Nga ekzekutivi në Shkup po ashtu pranuan se kanë nisur drejt Sofjes përgjigjet ndaj kërkesave bullgare por sot nuk tregojnë nëse kanë marrë përgjigje kthyese nga Bullgaria./VOA