Transmetuar më 21-01-2022, 21:29

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje online, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

Kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00. Po ashtu, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

-Certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;

-Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

-Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

-Procesi mësimor do të zhvillohet siç është bërë deri tani.

-Pensionistët vazhdojnë të jenë të liruar nga paraqitja e rregullt.

-Mbledhjet në ambiente të mbyllura lejohen me maksimum 30 persona.

-Ndalohet veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, apo dasmave e fejesave. Ndalohet edhe mbajtja e pritjes për ngushëllim.

-Gastronomisë i lejohet puna deri në orën 21:00. Muzika në lokalet e gastronomisë lejohet deri në orën 20:30.

-Masat e miratuara hyjnë në fuqi nesër, me 22 janar 2022 dhe vlejnë deri më 4 shkurt 2022.