Transmetuar më 31-01-2022, 14:04

Kush do të guxonte të shijonte një drekë mbi akull mbi liqen kur thellësia e tij është dhjetëra metra.

Ditët e fundit vendi ynë u përfshi nga një i ftohtë polar. Temperaturat zbritën disa gradë nën zero. Në zonat e thella malore termometri regjistroi nga -16 deri në -23 gradë. Bora, akulli dhe ngricat, ishin prezent në këto zona.

Përtej vështirësive që krijon një mot i tillë, ai mbart edhe bukurinë e tij.

Një grup dashamirësish të natyrës në Gramsh e zhfrytëzuan këtë rast për të kaluar një ditë krejt ndryhe, duke udhëtuar në një nga bukuritë e rralla të natyrës në këtë zonë, por jo vetëm, në Liqenin e Zambakëve në Teqe të Dushkut në Gramsh. Ky liqen gjatë verës mbushet me zambakë dhe në dimër ngrin nga akulli.

Trashësia e akullit mbi liqen ishte e mjaftueshme për të mbajtur peshën e grupit të burrave dhe tavolinës së mbushur me ushqime e verë, transmeton Noa.al.

‘Ishte një eksperiencë e veçantë’, shprehet Ilir Llapushi, një pasionant i paepur me natyrën. ‘Liqeni ngrin pothuaj në çdo dimër, por sivjet trashësia ishte e konsiderueshme dhe nuk mund ta çaje as me çekiç. Mbi të gjitha ne duam të promovojmë bukuritë e Gramshit që janë të mrekullueshme si në dimër ashtu edhe në verë. Ndaj në qytetin tonë mund të vini në çdo stinë’, shprehet ai.

Vitet e fundit Gramshi është kthyer në atraksion turistik pasi treva mbart bukuri natyrore që magjepsin këdo. Në Gramsh gjen shpella, ujëvara, kanione, liqene. Sepse nëna natyrë është treguar mjaft dashamirëse ashtu si dhe me njerëzit që rrit toka atje! Noa.al