Transmetuar më 25-02-2022, 11:22

Kosova i vendos sanksione Rusisë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës për t’i vendosur sanksione Rusisë, pasi ky shtet të enjten vendosi që të ndërmarrë hapa ushtarak për ta pushtuar Ukrainën, shkruan Gazeta Express.

Fillimisht kryeministri Albin Kurti tha se qëndrojnë krahë shteteve perëndimore për të siguruar paqen dhe mbrojtjen e sigurisë në botë.

“Qëndrojmë bashkë për paqe dhe siguri dhe mbrojtjen e demokracisë. Kemi si pikë të parë shqyrtimin e propozim-vendimit me të cilin Qeveria e Kosovës vendosë sanksione në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe të Këshillit të BE-së ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, ka thënë Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë prezantimit të këtij propozim vendimi ka thënë se Kosova duhet t’i bashkëngjitet botës demokratike duke vendosur sanksione ndaj Rusisë pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës.

“Pas agresionit të djeshëm ushtarak ndaj Ukrainës nga Rusia i cili u dënuar ashpër nga krerët e Republikës së Kosovës si dhe nga gjithë bota demokratike dhe duke marrë parasysh shkeljet flagrante të së drejtës ndërkombëtare të sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës nga Rusia si dhe sulmin mbi sigurinë dhe paqen globale është e rëndësishme që është Kosova t’i bashkëngjitet shteteve demokratike në ndërmarrjen e veprimeve dhe masave që ndëshkojnë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës duke përfshirë shqiptimin e sanksioneve, masave dhe veprimeve të tjera”, ka thënë ajo.

Ajo ka paraqitur edhe sanksionet që ka vendosur Kosova ndaj Rusisë.

“Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, imitacioneve financiare dhe individëve; ndalimi i qasjes se tyre në tregjet financiare dhe masa të tjera respektive që shënjestrojnë ndërmarrje të rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politik të përfshirë në marrjen e vendimit për agresionin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, ka thënë ajo.

Ky propozim i MPDJ-së u mbështet nga të gjithë ministrat në Qeveri.