Transmetuar më 23-04-2022, 08:39

Nga Dom Gjergj META

Fjala është si guri. Qënia është masivi shkëmbor ku ajo gjendet. Nga aty shkëputet ose prej një njeriu të thjeshtë ose prej një mjeshtri guri. I pari e përdor thjesht për me ndërtu shtëpinë e tij e i dyti për me ba me të një kështjellë a një vepër arti.

Një shtëpi me gur është thjesht funksionale, reziston deri dikur, ka si qëllim mbrojtjen e familjes dhe jetën e përditshme. Këto janë fjalët e jetës së çdo dite. Janë një "mirmëngjes", "mirëmbrëma" , "a u lodhe?" "si janë në familje" etj. etj. Janë fjalët që ngushëllojnë e ngrohin zemrën.

Po ashtu një gur i gdhendur me mjeshtëri kënaq shijet artistike, eglendis mendjen e arsyeshme dhe i reziston kohës. Këta janë fjalët e një Homeri, të një Danteje, të Fishtës e Kadaresë apo të Aristotelit, Tomë Akuinit, Hegelit, Hedeggerit etj.

Por ka edhe fjalë që shkëputen nga masivi shkëmbor i qënies për të gjuajtur e dëmtuar të tjerët, për t’i poshtëruar e tallur ata. Në të gjitha rastet fjala është e pafajshme, por jo goja që e nxjerr e dora që e shkruan.