Transmetuar më 07-05-2022, 10:55

Bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve ishte dje pjesë e audiencës së Atit të Shenjtë me haxhi Bujar Spahiun, kreun e myslimanëve shqiptarë. Në qendër të bisedës ishin edhe marrëdhëniet ndërmjet shtetit e feve, si dhe kontributi i tyre në ruajtjen e vlerave njerëzore, sidomos në mbrojtjen e familjes si qelizë themelore e shoqërisë.

Minarja e Xhamisë së Et’hem beut dhe kambanorja e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër u bashkuan në dhuratën që iu dorëzua Papa Françeskut nga kreu i Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, i cili ishte për vizitë në Vatikan.

Simbol i asaj bashkëjetese paqësore ndërmjet feve, për të cilën u fol gjerësisht gjatë audiencës së Atit të Shenjtë Bergoglio me Haxhi Bujar Spahiun. U përmend Dokumenti i Abu Dabit mbi vëllazërimin njerëzor, që Myftiu, Haxhi Spahiu, siç i tha Atit të Shenjtë, e promovon dhe e përhap kudo në Shqipëri.

Më pas, kreu i myslimanëve të Shqipërisë u takua me Sekretarin vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot.