Transmetuar më 11-05-2022, 08:01

Nga ENVER ROBELLI

Me vizitën e tij në Hagë, Edi Rama nuk i ndihmon askujt, aq më pak Hashim Thaçit. Shteti i Kosovës është duke paguar miliona euro për mbrojtjen e të gjithë atyre që janë të akuzuar nga Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës. Milionat janë të qytetarëve të Kosovës, ndërsa shou propagandistik është i Edi Ramës. Dhe si i tillë duhet të shihet: si shou për të shkaktuar përçarje mes shqiptarëve në Ballkan!

Gjykatën Speciale e kanë themeluar partia e Hashim Thaçit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e Isa Mustafës. Albin Kurti e ka kundërshtuar (sipas mendimit tim ka qenë qëndrim i gabuar i Kurtit, por kjo s’është relevante).

Kush e kundërshton Gjykatën Speciale nuk ia do të mirën Kosovës, pak a shumë ky ka qenë qëndrimi i Thaçit kur e ka themeluar Gjykatën Speciale ndërsa atakonte Kurtin duke tentuar ta paraqiste si antiperëndimor. (Në atë kohë Edi Rama e quante Vetëvendosjen “pasuri kombëtare", por edhe kjo është histori tjetër e hipokrizisë shqiptare).

Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit Thaçi ka thënë se “nuk e përjashton mundësinë” që ndonjë pjesëtar i UÇK-së të ketë kryer krime. Këtë e ka thënë në prani të ambasadorit rus dhe kinez në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Pas publikimit të raportit të Këshillit të Europës më 2010 Hashim Thaçi ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar. Jemi të hapur për hetime, ka thënë ai. Një bashkëluftëtar i tij, politikisht i papjekur dhe i veshur me funksionet më të larta shtetërore, në janar 2011 po ashtu pati bërë thirrje për hetim ndërkombëtar, sepse “Kosova nuk ka kapacitet t’i mbrojë dëshmitarët”.

Albin Kurti nuk është pjesë e lojërave me Gjykatën Speciale. Edhe nëse s’pajtohemi me qëndrimin e tij ndaj Gjykatës Speciale, faktet nuk duhet të rrëzohen. Edi Rama me a pa vullnet (me gjasë me vullnet) bëhet pjesë e lojërave që nuk do ta ndihmojnë as Hashim Thaçin, as Kosovën.

Do të mund të shtrohej pyetja, me këtë rast, se çfarë kanë bërë të deleguarit e Edi Ramës në Këshillin e Europës pas publikimit të raportit të rrezikshëm të Këshillit të Europës mbi krimet e supozuara të UÇK-së? Nuk kanë bërë ASGJË!