Transmetuar më 13-05-2022, 20:20

Maqedonia e Veriut- Pas përfundimit të seancës më 12 maj, Talat Xhaferi ka sharë, ofenduar dhe kërcënuar punonjësit duke i ftuar të paraqiten në kabinetin e tij lidhur me angazhimin e tyre ndërsa kjo është transmetuar nga kanali i Kuvendit.

Nga kabineti i Kryetari të Kuvendit, Talat Xhaferit nuk kanë komentuar rastin që ka shkaktuar reagime të shumta.

As kryeministri, Dimitar Kovaçevski nuk e komentuar inçizimin me arsyetimin se nuk e ka parë.

“Unë e kam parë atë video, por bëhet fjalë për një bisedë, në të cilën nuk shihet as kush po flet, e as me kë po flet dhe për këtë arsye nuk mund të komentoj nëse kryetari i Kuvendit po flet me dikë në sallë, me ndonjë punonjës, ose jo”, ka deklaruar Kovaçevski.

Por, VMRO DPMNE-ja opozitare aktin e ka quajtur “skandaloz dhe të turpshëm” ndërsa ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Xhaferit nga posti i kryetarit të Kuvendit.

“Nuk ka asnjë justifikim për një thjeshtësi të tillë dhe pyetja është nëse të gjithë partnerët e koalicionit në qeverinë kriminale e mbështesin dhe do ta linin pa dënuar këtë sjellje primitive të despotit nga Forina (fshati ku jeton Xhaferi)”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët vlerësoi se sjellja e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, “reflekton sjelljen e ulët të BDI-së jo vetëm me funksionarët e saj por me të gjithë shqiptarët”.

Nga ASH-ja thonë se Talat Xhaferi ka manifestuar sjellje “diktatoriale”.

“Ka kohë që jo vetëm Xhaferi, por edhe funksionarë të tjerë të BDI-së, në të njëjtën mënyrë i trajtojnë nëpunësit dhe qytetarët, e shpeshherë tentojnë t’i trajtojnë njësoj edhe deputetët. Kjo është sjellje tipike e një regjimi, një diktature, e cila funksionon vetëm me frikë dhe kërcënime”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut që nga 11 maji është bllokuar nga VMRO DPMNE-ja e cila po përdor të gjitha format për të pamundësuar mbajtjen e seancave.

Një veprim të tillë, opozita maqedonase e ndërmori pas refuzimit të kryeministrit, Dimitar Kovaçevski ndaj kërkesës së VMRO DPMNE-së për takim liderësh për të caktuar datën për zgjedhje të parakohshme parlamentare./REL