Transmetuar më 19-05-2022, 23:42

TIRANË- Ka ndodhur në Tiranë dhe gruaja është treguar mjaft e shkathët.

Dy persona trokasin me forcë në derën e banesës së një qytetareje në Tiranë në mes të natës, kërkojnë një emër dhe pastaj largohen me makinë. Pas episodit zonja është ankuar pranë emisionit Stop në Tv Klan për këtë ngjarje.

Rasti është shënuar mbrëmjen e 19 Prillit 2022. Në momentin që këta persona panë të fejuarin e pronares të shtëpisë, bënë sikur kërkonin një njeri me emrin Tani. Në fakt në atë banesë nuk kishte një person me emrin Tani.

Por zonja e shtëpisë dhe i fejuari e saj i filmuan me celular, ku duken qartë fytyrat, automjeti dhe targa e mjetit.

Denoncuesja ka bërë edhe kallëzim në polici për këtë situatë, por sipas saj, nuk ka asnjë informacion se çfarë ka ndodhur, pasi ata nuk janë kapur.

“Më datë 19 Prill ora 21:30 vijnë dy persona dhe i bien derës time. Pastaj dal unë, i thashë kush jeni. Dil thanë se kemi çik punë me ty. Në momentin që hap unë derën del i fejuari im. Del edhe më thotë çfarë ka. Në moment që unë i them, ai më thotë më nxirr çik Tanin. I thashë kush është Tani se nuk ekziston njeri me emrin Tani këtu. Ata vazhduan këmbëngulën. Në momentin që i thashë djalit ma nxirr telefonin që t’u bëja video, ata tentojnë të ikin. Marr policinë në telefon, vonon 15-20 minuta që nuk i shkon zilja fare 129. Kur dalim te një karburant, aty shohim një Benz me targa AA 742 PI edhe aty i priste një person tjetër i tretë. Me derë hapur siç ishin që i kapi i fejuari im, ata i japin makinës me shpejtësi dhe ikin. Unë nuk i njoh këta persona, asnjërin. Nuk kam fare të bëj. Policisë ja kam dhënë me targa e me të gjitha, ata nuk më tregojnë asnjë lloj informacioni edhe personat nuk janë kapur. Pse nuk janë kapur”, thotë denoncuesja.

Zonja bisedoi në telefon me Oficerin e Policisë Gjyqësore, i cili i tha se materialet ia ka referuar Prokurorisë.

OPGJ: Po! Kur të kem diçka të re do të njoftoj vetë pa merak. Nuk ke pse vjen në Komisariat. Kur të kemi diçka do të themi ne se e kishe me merak këtë pjesë. Në qoftë se ke shqetësime të reja ose të dhëna të reja për personat do vish në çdolloj kohe.

Më pas bisedoi në telefon me OPGJ edhe gazetarja, por punonjësi i policisë refuzoi që të përgjigjej.

OPGJ : Alo! Po, përshëndetje! Nuk kemi të drejtë. Të lutem zonjë duhet të marrësh leje të.. aty.. hajt mirë u pafshim!

Stop ka arritur të zbulojë se automjeti Benz, në bazë të të dhënave nga targat, është në pronësi të një kompanie.

Marrë nga tvklan.al