Transmetuar më 20-05-2022, 15:55

Porosia e mbetur pezull e Ervis Martinajt, 500 mijë euro për vrasjen e Indrit Dokles, Hoxhaj: Dumani mori 100 mijë

Hetimi i kryer sugjeron se Ervis Martinaj është personi që ka porositur kryerjen e ekzekutimit ndaj Indrit Dokles.

Nuredin Dumani është parapaguar 100 mijë euro për të ekzekutuar urdhrin për vrasjen e Dokles, ndërsa në përfundim të ‘porosisë’ së Martinajt, ai do të merrte edhe pjesën e mbetur prej 400 mijë eurosh.

Sipas dosjes që publikoi RTSH, me porosi të Ervis Martinajt, Dumanin kanë shkuar e kanë takuar në Kosovë dy persona, Elvin Merlika, i njohur ndryshe si Eli dhe vëllai i Besian Xhixhës, Alket Xhixha.

Nuredin Dumani ka kontaktuar më tej me Henrik Hoxhajn, aktualisht i paraburgosur, të cilit i ka dhënë porosi për vrasjen e Dokles.

Ervis Martiraj, sipas Hoxhajt, i kishte thënë Dumanit se mund të kërkonte çfarë çmimi të donte për ekzekutimin e Dokles.

Më tej në rrëfimin e tij, Hoxhaj thotë se objektivi nuk ishte i lehtë dhe se punën e la pezull pasi gjatë kohës që kryente veriifikime për Indritin, nuk kishte dijeni se ku ndodhej Dumani.

“Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e shtetasit Indrit Dokle. Kjo ka qenë rreth para një viti ku unë bisedoja shpesh me Nuredinin të cilin unë e njihja edhe me emrin Luli. Në një nga këto biseda që ne po kryenin në telefon ai më thotë do gjetur ku është Indrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë. Çmimi ishte mbi 500.000 Euro pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash, para i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi. Gjithashtu, Nuredini kishte informacion se Indriti jetonte tek një vilë në kompleksin Rolling Hills. Po me makinë me qira kam shkuar deri tek TEG për të vënë re nëse mund ta shihja Indritin por nuk e kam parë. Nga muhabete lart e poshtë kisha dëgjuar se Indriti lëvizte me një fuoristradë të blinduar Toyota. Në një nga këto lëvizje tek TEG unë e kam parë këtë makinë tek rrotondo që ndodhet tek diga e liqenit artificial afër kopshtit zoologjik. Thjesht e kam parë por nuk kam bërë asnjë ndjekje. Ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk kam kryer asnjë veprim. Nga bisedat në celular me Nuredinin e kemi lënë pezull dhe kemi biseduar për gjëra të tjera. Nuk kisha dijeni se ku ndodhej Nuredini gjatë kësaj kohe që unë po kryeja verifikime për Indritin”, rrëfen Hoxhaj.