Transmetuar më 20-05-2022, 21:45

TIRANË- Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Ibsen Elezi ka kërkuar shtyrjen e datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

Gjatë një deklarate për mediat, Elezi ka bërë me dije se zgjedhjet duhet të shtyheshin me 14 ditë, pasi kjo e tanishmja është kohë e pamjaftueshme. Ai tha se procesi zgjedhor po kryhet në kundërshtim me Statutin e PD-së.

"I jam drejtuar komisionit me një kërkesë që ka të bëjë me shtyrjen e datës për zgjedhjet e kryetarit. Vendosa të konkurroj në pozicionin e kryetarit të PDSH.

Pas regjistrimit tim si kandidat po konstatoj një sërë shkeljesh statutore dhe ligjore. Asnjë nga elementët e primares dhe debatit nuk po zbatohet në këtë proces. Gjithashtu ka pasur edhe defekte të rënda me listat, kjo e pohuar edhe nga komisioni elektoral. Procesi zgjedhor po kryhet në kundërshtim me statutin e PD.

Është konstatuar nga ana ime që nuk është ngritur komisioni i Apelimit. Ky komision është i vetmi organ që garanton mbarëvajtjen e procesit sipas normave statuore.

Për sa më sipër, duke qenë se Komisioni i Rithemelimit ka premtuar disa herë demokratizimin dhe garën e drejtë kërkoj riparimin e listave të anëtarësisë para se të vazhdojë të kryhet ky proces zgjedhor, dhe shtyrjen e procesit zgjedhor deri në plotësimin e këtyre kërkesave minimale statutore," tha Elezi.