Transmetuar më 20-05-2022, 23:13

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka marrë një mesazh nga presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, me rastin e zgjedhjes së tij në mandatin e dytë presidencial, – njoftoi Presidenca serbe.

Biden përmes letrës, ka inkurajuar Serbinë që të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromisin për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

"Unë ju përgëzoj për rizgjedhjen tuaj si President i Serbisë. Mezi pres të kem mundësinë gjatë mandatit tuaj të dytë për të thelluar bashkëpunimin tonë të ngushtë në avancimin e integrimit evropian të Serbisë, zgjerimin e lidhjeve tona dypalëshe të sigurisë dhe ekonomisë, si dhe avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal.

Këto janë momente vendimtare për Evropën. Kam vënë re se Serbia, nën udhëheqjen tuaj, i është bashkuar një grupi prej 140 demokracish nga e gjithë bota në Kombet e Bashkuara për të dënuar luftën e Putinit në Ukrainë. Është e rëndësishme që ne të mbetemi të bashkuar për të dërguar mesazhe të forta mbështetjeje për Ukrainën dhe për të dënuar luftën brutale që vetë Rusia ka zgjedhur.

Unë inkurajoj Serbinë të bëjë përparim në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromisin për të normalizuar shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut të sponsorizuar nga BE. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm", thuhet në mesazh.