Transmetuar më 03-06-2022, 17:08

TIRANË- Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do takohen në Prishtinë. Si datë është fiksuar 24 qershori.

Kosova ka nisur që të bëjë përgatitjet për këtë mbledhje, ndërsa kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e fundit u kishte kërkuar ministrave përkatës që draft-marrëveshjet t’i kenë të gatshme deri më 10 Qershor.

Por deri më tani ende nuk është saktësuar numri i marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen në këtë mbledhje. Që prej nisjes së kësaj iniciative, nga 13 marrëveshjet e nënshkruara, 8 prej tyre tashmë kanë arritur rezultate. Ndërsa 4 marrëveshje të tjera, për të cilat po punohet në aspektin teknik të tyre. Për shembull, lehtësimin e procedurave të kalimit të kufirit në Vërmicë dhe studimi i fizibilitetit për segmentin hekurudhor Durrës-Prishtinë.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që nga viti 2014 mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme. Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.

Por, shumë herë qeveritë janë kritikuar se marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur vetëm në letër, pa u zbatuar në praktikë. Ndërsa nuk kanë munguar as kritikat nga Serbia, të cilat pretendojnë se këto takime synojnë bashkimin e Shqipërisë së Madhe.