Transmetuar më 06-06-2022, 13:44

Nga Ylli Manjani

Pesë orë na zgjati udhëtimi dje nga Palasa në Tiranë. U nisëm pasdite vonë dhe përfunduam në shtëpi në mes të natës.

U shamë e u kërdisëm dje nëpër timonë me njëri-tjetrin. Por më kot, rruga nuk tërhiqte për kiamet. Në fakt dje isha pasagjer. Por ata që i bien borisë në trafik si kam kuptuar asnjëherë!? A thua se me atë bori u lirua trafiku.

Nuk e di sa milionë euro të deklaruara publikisht si investime në rrugë e tunele më vinin ndërmend dje. Por pa shpresë! Vargu i gjatë i makinave nuk mbaronte në të njëjtën rrugë që ka qenë tash 100 vjet.

Na mbaruan edhe llafet. Mbaruam edhe me Metën në Stambull e Begon në Tiranë. Mbaruam edhe me Sazanin që nga Radhima dukej i mbytur në tym. Mbaruan edhe hajgaret me komente në Facebook.

Rruga ishte ende e gjatë. Nata u bë e plotë. Rrugët pa drita, se nuk kemi energji… Runi, qeni jonë u bë edhe më vigjilent, megjithse i flihej.

Diku nga Peqini desh na hodhi në kanal një eskortë arrogante dhe me shpejtësi marramendës. Ishte ora 22:10. Na kishte dalë shpirti në makinë. Na kishin mbaruar llafet.

Por i futëm një të sharë edhe eskortës. Nuk e shava për asnjë arsye personale, thjesht për barazi  trafik. Të gjithë shajmë e na shajnë në trafik. Pse jo atë dhe eskortën e tij?!

Sot akoma nuk e besoj që nuk jam në makinë…

Lajmet thonin se edhe nga Durrësi e Shëngjini ishte dramë kthimi…

Por ama kush i la rrugët rrugëve?! Hë, kush?! Saliuuuu…

Rrite edhe pak çmimin e naftës, mos përto!

Ja si motivohet njeriu për t’u ngritur nga krevati.

Javë të mbarë!