Transmetuar më 08-06-2022, 08:47

Nga LUTFI DERVISHI

Ishulli Sazanit, pas pak muajsh! Vetëm pak muaj më parë, zjarri shkatërrimtar i Sazanit bëri shkrumb e hi florën dhe faunën e ishullit, duke lënë pas një tokë të djegur e të zhuritur që si hyn në punë as dreqit, as të birit, madje as gjyshit me antiplumb.

Por falë investitorëve strategjikë XY dhe politikës vizionare të qeverisë për thithjen e investimeve të huaja, ky ishull relike e luftës se ftohtë do të rivitalizohet. Do të jetë padyshim ishulli më spektakolar jo vetëm në Mesdhe, por më i veçantë se çdo ishull tjetër mbi dhé!

Bunkerët e diktaturës do t’ua lirojnë vendin komplekseve elitare turistike, jahtet do ankorohen në vend të katersiluruesve, zhurma e komunikimeve mors do të zëvendësohet nga fërfëllima e ruletave të kazinove, ndërsa në tunelet e nëndheshme të ishullit do të hapet muzeu i të arratisurve me not nga Shqipëria, notArt.

Ju sot ende shihni pasojat e zjarrit shkatërrimtar, ndërsa ripyllëzimin do ta kryejë kryetari i bashkisë së Vlorës, që do të zëvendësojë këtë që nuk po ia them as emrin. Aeroporti i Vlorës, por edhe ai i Sarandës do të jenë portet e reja të hyrjes.

Sot është ditë e veçantë për vlonjatët e paduruar që e duan ishullin të pyllëzuar ashtu si ishte! Por nga ju kërkohet vetëm pak durim! Nuk ka kohë për pushim. Sazani i rilindur. Ishulli që duam…