Transmetuar më 12-06-2022, 19:28

Një djalë shqiptar humbi jetën sot në Halkidiki, Greqi pasi motori me të cilin udhëtonte humbi kontrollin fatalisht. Në këtë aksident është plagosur dhe një moshatar i tij, shtetas grek.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 07:20 në kilometrin e 75 të rrugës nacionale Selanik – Ierissos, pranë Halkidikisë, raporton noa.al duke cituar një komunikatë të policisë vendase.

I riu ndodhej pas shokut të tij, hipur mbi motor, kur befas mjeti u përmbys jashtë rruge duke shkaktuar plagë fatale për 18 vjeçarin shqiptar. Ai gjeti vdekjen e menjëhershme.

I riu grek, gjithashtu 18 vjeç, mori plagë të ndryshme dhe u dërgua në spital.

Policia tha se djali grek drejtonte motorin pa një leje drejtimi.

Hetimet paraprake për shkaqet e sakta të aksidentit po kryhen nga Drejtoria e Policisë Arnea. /noa.al