Transmetuar më 19-06-2022, 10:08

Tiranë- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do jetë sot për vizitë në Kosovë.

I shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij, ai pritet te vizitojë familjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Poashtu, Rama do t’i vizitojë dy nga fabrikat e korporatës “Devolli”, eksportuesit më të madh kosovar.

Sipas agjendës së siguruar nga Klan Kosova, me delegacionin ku bëjnë pjesë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, Mirela Kumbaro e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe Elisa Spiropali, ministre për marrëdhëniet me parlamentin, Rama do të ndalet në orën 17:00 në Xërxë në fabrikën e miellit, “M&Sillosi” ku do të bisedojë me rreth 500 fermerë, ndërsa në 17:45, do ta vizitojë fabrikën e dyshekëve, “Comodita” në Gjakovë.

Kjo është hera e dytë që Rama vizion sektore të korporatës. Hera e parë ishte më vitin 2014.

Pasi t’i kenë përfunduar këto vizita të dielën, ministrat e Ramës do të shkojnë në Prishtinë, ndërsa ai vetë do të shkojë në Burojë, te familja e ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilin e vizitoi ditë më parë edhe në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Të hënën në Prishtinë mbahet takimi i radhës i qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.