Transmetuar më 21-06-2022, 08:50

Tiranë – Banorët e një pallati në Astir kanë përjetuar një tmerr të vërtetë: Si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një garazh tymi asfiksues përfshiu gjithë pallatin duke shkaktuar plagosjen e të paktën tetë personave.

U desh ndërhyrja e zjarrfikësve që të zbresin banorët nga dritaret dhe ballkonet e pallatiit.

Por edhe zjarrifkësit kanë ndërhyrë me vonesë për shkak se parkimet janë okazione gjithnjë e më të rralla në Tiranë dhe shumë drejtues mjetesh parkojnë ku të mundin nëpër rrugë. Pikërisht një makinë e parkuar gabim në rrugë, shkaktoi dhe vonesën e ndërhyrjes së zjarrfikësve.

Zyrtarisht policia tha se nga ky zjarr, u dogjën 4 mjete dhe u lënduan 8 qytetarë, mes tyre 6 vajza.

Çfarë ndodhi sot

Që herët në mëngjes, banorët e një pallati në Unazë të Re, në rrugën "Aleksandri i Maqedonisë", u përballën me një zjarr të papritur.

Ata gjendeshin në banesa dhe disa krej tyre po dilnin për të shkuar në punë, kur nisën të asfiksohen sa në ashensorë, e sa në korridore, e akoma më keq, në parkimin e nëndheshëm.

Ajo që u kuptua ishte se në orët e para të mëngjesit kishte rënë zjarr në zonën e garazhit dhe ishin djegur plotësisht katër automjete.

Shtëllungat e tymit u përhapën me shpejtësi nëpër pallat duke u ngritur nga garazhi e deri në katet e larta të banimit, që shkaktoi frikë te familjet e rrezikuara.

Por zjarri nuk ka pasur vetëm dëm material sepse si pasojë e tij, janë dëmtuar dhe kanë shkuar për mjekim në spital shtetasit A. Xh., 28 vjeçe, F. J., 23 vjeçe, D. J., 27 vjeçe, I. Xh., 31 vjeçe, E. Xh., 27 vjeç, E. K., 35 vjeçe, M. B., 48 vjeçe dhe N. B., 50 vjeç.

Policia thotë se që të tetë të lënduarit, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë larguar.

Tani, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Duket se zjarri ishte i qëllimshëm dhe dyshimet janë për çështje pronësie. Megjithatë nuk ka asnjë konfirmim nëse kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme, por përmasat e saj ishin të rrezikshme duke vënë në pikëpyetje sigurinë e banorëve në pallate: Në asnjë prej pallateve të banimit në Shqipëri nuk ka shkallë emergjence për të dal në raste pikërisht si ky në Astir ku banorët nuk dinin nga të ruheshin më parë, prej djegies nga zjarri, apo asfiksimi nga shtëllungat e tymit. /noa.al