Transmetuar më 27-06-2022, 23:18

Vrasja që ndodhi dje në Rafina të Greqisë ishte një krim fatal nga keqkuptimi dhe dy djemtë shqiptarë që akuzohen, janë dorëzuar sot në policinë greke duke deklaruar se janë të pafajshëm.

Djemtë shqiptarë që shikoni në foto, 24 vjeçarë që jetojnë prej vitesh në Rafina, u thanë policëve se ishin të keqardhur nga ajo që ndodhi.

Ata treguan se ndryshe nga versioni i mëparshëm nga grupi hetimor, në të vërtetë, ishte një shtyrje në lokal që krijoi keqkuptimin.

Burri 42 vjeçar grek ishte me një kushëri dhe dy femra në lokal. Në një moment ka shkuar për në banjë. Teksa ecte është penguar padashur duke rënë tek djemtë që gjendeshin në një tavolinë brenda lokalit.

Këtu është krijuar ideja nga shqiptarët se greku po i ngacmonte. Kaq mjaftoi dhe nis një përleshje me fjalë, plot tension e sherr, brenda në lokal.

Por me ndërhyrjen e disa të pranishmëve, sherri aty brenda u fashitur dhe të gjithë kanë menduar se ngjarja ka përfunduar aty. Porse gabuan…

Dy autorët e dyshuar së bashku me dy shokë të tjerë kanë ndjekur 42-vjeçarin dhe sapo ai është larguar kanë nisur sërish debatin me të. Kushëriri i viktimës duke dalë nga lokali ka parë një nga 24-vjeçarët duke e goditur në kokë dhe duke e lënë pa ndjenja. Më pas autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një (Jeep) xhip blu.

Menjëherë janë njoftuar autoritetet dhe kanë shkuar në zonë, ndërsa një ambulancë ka marrë 42-vjeçarin e plagosur rëndë, i cili ka ndërruar jetë pak orë më vonë në spital nga gjakderdhja e pakontrolluar. /noa.al

Ngjarje e paqartë në Athinë, greku vritet nga disa djem shqiptarë