Transmetuar më 30-06-2022, 19:40

Një baba nga Shqipëria, së bashku me djalin dhe një shok, rrëmbeu vajzën e tij 22-vjeçare dhe e mbajti në izolim për orë të tëra

Një rast i paimagjinueshëm zbardhet nga Kypseli në Athinë të Greqisë ku të dielën një 50-vjeçar nga Shqipëria, djali i tij 21-vjeçar dhe një tjetër burrë, kanë rrëmbyer vajzën dhe motrën e tyre 22-vjeçare.

Vajza e re dyshohet se ka pasur një lidhje me një 37-vjeçar, po nga Shqipëria, të cilin familja e saj nuk e ka dashur.

Kështu pasditen e së dielës, një baba, djali dhe një shok i tyre, hipur mbi makinë nisën të kërkonin vajzën e re.

Kur e gjetën me partnerin e saj, kanë zbritur nga automjeti dhe duke përdorur forcë fizike dhe verbale e kanë kapur dhe e kanë transportuar me forcë në një bodrum në Kaisariani, ku e kanë mbajtur të burgosur, pa celular.

Vajza 22-vjeçare qëndroi aty derisa mëngjesin e së hënës i bindi se duhej të shkonte në tualet.

Duke qenë se nuk kishte banjo në zonën e caktuar, i bien ziles së një të njohuri të tyre që jeton shumë afër për t’i përdorur banjën dhe disi vajza e re gjen rastin të informojë autoritetet për rrëmbimin e saj.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur makineritë e policisë dhe arrestuan tre burrat. Ndaj babait dhe vëllait të vajzës është ngritur një çështje për veprën penale të rrëmbimit dhe mbajtjes peng.

Hetimi nxori se as babai dhe as vëllai nuk donin që vajza të mbante lidhjen intime me burrin 37 vjeçar po ashtu shqiptar. Duke qenë se kishin hasur në rezistencë dhe vajza rrinte vazhdimisht me të dashurin e saj, e gjurmuan duke e marrë peng që ta detyronin të ndryshojë mendje. /noa.al