Transmetuar më 09-08-2022, 20:10

SERBI- Serbia do punësojë shqiptarë me pagë dinjitoze.

Rreth 30,000 zejtarë, mjekë, infermierë dhe teknikë shumë të nevojshëm nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të shkojnë për të punuar në Serbi nga shtatori pa asnjë dokument shtesë, vizë pune dhe leje speciale. Sipas mediave vendase, kjo do të bëhet e mundur falë nismës “Ballkani i Hapur” dhe hapjes së tregut të vetëm të punës. Përveç kësaj, i gjithë rajoni ynë do të bëhet shumë më tërheqës për investitorët e huaj, sepse sipas ekspertëve do të jetë më e lehtë për të gjetur punëtorët që u mungojnë, shkruan Informer.

Drejtori i Zyrës për IT dhe e-Qeverisje Mihailo Jovanoviç tha se të gjitha profesionet që na duhen janë interesante për njerëzit nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

"Mendojmë se do të ketë punëtorë që do të vijnë me diplomë universitare, por edhe ata që kanë arsim fillor dhe të mesëm. Ndërtimi dhe punëtorët në fushën e bujqësisë janë shumë të kërkuar. Duhet të ketë shumë të interesuar edhe në fushën e shëndetësisë, sepse këtu pagat janë më të larta. Megjithatë, është edhe më e rëndësishme që si rajon të gjithë do të bëhemi shumë më interesantë për investitorët e huaj sepse do të jetë më e shpejtë dhe më e lehtë për të arritur punëtorët dhe kjo është një nga arsyet që ata të investojnë në këtë pjesë të Evropës" – thotë Jovanoviç.

Nebojsha Atanackovic nga Sindikata e Punëdhënësve të Serbisë thekson se një fuqi punëtore më e madhe do të jetë e dobishme për punëdhënësit tanë për pozitat që përndryshe janë gjithmonë të lira.

"Mendoj se qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të jenë shumë të interesuar të vijnë tek ne sepse kushtet dhe të ardhurat janë shumë më të mira. Gjithashtu, tek ne, punëdhënësit do të kenë një zgjedhje më të madhe dhe mundësinë për të plotësuar përfundimisht pozicionet për të cilat nuk kanë gjetur dot një fuqi punëtore të përshtatshme për një kohë të gjatë. Na mungojnë të gjitha profilet e tregtisë në ndërtim, saldatorë, pastaj të gjithë punëtorët në hoteleri e turizëm dhe për punët sezonale si fruta vjelësit. Presim që nga shtatori të mbërrijnë rreth 30 mijë prej tyre" – thotë Atanackovic.

Qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të mund të punësohen në këto vende me numrat e identifikimit të "Ballkanit të Hapur" pa asnjë pengesë të mëtejshme administrative. Parashikohet që një qytetar që dëshiron të punësohet në një nga këto tre shtete, të fusë të dhënat e tij përmes portalit eGovernment dhe në këtë mënyrë të marrë numrin e identifikimit të nismës “Ballkani i Hapur”. Çdo qytetar që hyn në portal dhe merr atë numër do të mund të hyjë pa pengesa në tregjet e punës të të tre vendeve. Qëllimi është që procedura të jetë e njëjtë në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

Këshilltari i kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë, Nenad Gjurgjeviç, thotë se ka kohë që ka mungesë të fuqisë punëtore në fushën e bujqësisë, ndërtimtarisë dhe industrisë tekstile. Ai shtoi se pas pandemisë, shumë kompani ndërkombëtare që kanë zinxhirët e tyre në Lindjen e Largët po shqyrtojnë mundësinë e afrimit të prodhimit të tyre me kompanitë e tyre mëmë në Evropën Perëndimore.

"Si Ballkani Perëndimor, ne mund të jemi një destinacion interesant për këtë lloj pune" – thotë Gjurgjeviç.

Ai thotë se PKS nuk ka të dhëna të sakta se sa fuqi punëtore mungon, por ka thënë se ka nevojë për punëtorë në punët sezonale, si dhe në kompanitë ndërkombëtare që operojnë këtu. Paga mesatare në Serbi është 631 euro, ndërsa qytetarët e Maqedonisë së Veriut fitojnë mesatarisht 360 dhe Shqipërisë 248 euro në muaj, transmeton Kurir.