Transmetuar më 17-08-2022, 20:00

Krim shqetësues sonte në Sarandë, ku një 41 vjeçar ka gjetur vdekjen pasi u qëllua me thikë nga një djalë i ri që u zhduk menjëherë pas krimit duke i  shpëtuar ndjekjes policore.

Viktima është Klodian Bakia dhe autori i dyshuar është Xhenelio Tarja. noa.al mëson se konflikti dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta, për një vend parkimi.

Ngjarja ndodhi sonte, rreth orës 18:30, në lagjen Nr.1, Sarandë, raporton noa.al duke cituar burime policore.

Dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, ka mbetur i dëmtuar me mjete prerëse Klodian Bakiaj, 41 vjeç nga Tepelena.

I plagosuri, pasi është transportuar në spitalin e Sarandës, si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë.

Sherri mes të dyve që si pasojë përfundoi me vdekjen e Bakiajt, nisi për një vend parkimi.

Mësohet se 24-vjeçari Tarja ishte kamarier në restorantin në Sarandë, ndërkohë që dyshohet se Bakia ka parkuar makinën e tij para objektit.

Djali nga Laçi dhe burri nga Tepelena kanë debatuar për lirimin e vendit e parkimit. Pak më pas, Tarja e ka qëlluar dy herë me thikë në zemër duke i marrë jetën.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Noa.al mëson se është bërë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Xhenelio Tarja, 24 vjeç, banues në Laç.

Shtetasi Xhenelio Tarja dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për parkimin, në lagjen nr.1, Sarandë, ka goditur me mjete prerëse 41 vieçarin Klodian Bakiaj, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marrë, ka ndërruar jetë në spitalin e Sarandës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë punën intensive për kapjen e autorit të dyshuar.

Policia tha se po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë vrasje si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /noa.al