Transmetuar më 25-08-2022, 07:27

Tiranë- Qeveria do marrë në administrim bashkitë me borxhe. Ministria e Financave ka evidentuar se 7 bashki të vendit ndodhen në vështirësi të mëdha financiare, por Bashkia e Vorës dhe Kavajës paraqiten më rëndë për shkak se borxhet në vitin 2021 për secilën zunë më shumë se 90 për qind të shpenzimeve faktike të vitit që shkoi.

Drejtoria e Financave vendore në Ministrinë e Financave ka formuluar një raport të detajuar për gjendjen financiare të bashkive, ku konstatohet se, në vitin 2021 shtatë bashki kanë një status si njësi në vështirësi financiare, konkretisht bashkitë Roskovec, Poliçan, Cërrik, Malësi e Madhe, Vorë, Belsh e Kavajë.

“Situata në Bashkinë e Kavajës dhe të Vorës është shumë më serioze ku detyrimet e prapambetura shënojnë respektivisht 91.23% dhe 90.54% të shpenzimeve faktike në vitin 2021” thuhet në raportin e Ministrisë së Financave.

Sakaq paralelisht me këtë raport Ministria e Financave ka hapur një konkurs në të cilin synon të rekrutojë disa administratorë që në emër të qeverisë qendrore do të marrin në dorë administrimin financiar, fillimisht për dy bashkitë që janë në gjendje të vështirë, Vora dhe Kavaja.

Përveç bashkive në vështirësi financiare, janë evidentuar edhe disa bashki kanë probleme financiare, konkretisht bashkitë: Peqin, Tropojë, Tepelenë, Rrogozhinë, Konispol, Lezhë, Kuçovë, Pogradec, Delvinë e Dimal.

44 bashki të tjera nuk kanë probleme financiare. Ndërsa bashkitë me përformancë shumë të mirë financiare gjatë vitit 2021, evidentohen bashkitë Gjirokastër, Patos, Këlcyrë, Shkodër, Korçë me stok më të vogël se 1% të detyrimeve.