Transmetuar më 26-08-2022, 16:44

Një segment rrugor që lidh Palasën me Dhërmiun, si alternativë e pjesshme e rrugës së vjetër, është hapur sot në jug, në mënyrë provizore, me shpresën që të përfitojnë nga lëvizja, pushuesit e fundit të ditëve që vijnë.

Rruga sugjerohet se shkurton distancën mes dy fshatrave turistikë, por edhe shmang deri diku trafikun aktual.

Gjithsesi rruga është hapur provizorisht pasi mungojnë shumë elementë standardë të një aksi rrugor.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha nga rruga që po hapet se ajo në të vërtetë do të përfundojë më 30 qershor 2023, gjithnjë nëse kompania respekton afatin e kontratës.

Në këtë rrugë pritet të ketë pjesë për biçikletat dhe për këmbësorë, ndriçim dhe gjelbërim.

Rruga nuk do të jetë autostradë, por një aks me një korsi të mundshme shtesë për njërin krah të rrugës.

Nga ministria e Infrastrukturës, noa.al ka kërkuar të dhëna shtesë mbi këtë rrugë,  kostot, afatet, të dhënat teknike, etj.  Rruga është e kategorisë C2 dhe ka një gjatësi 4.17 km. Ka disa vepra arti përgjatë aksit, mes tyre një urë me gjatësi 80 metra dhe lartësi 20 metra.

Segmenti nis tek Rrugët e Bardha në Palasë dhe perfundon tek Kampi i Pushimit në Dhërmi. Parashikohet gjithashtu që kjo rrugë të lidhet edhe me daljen e tunelit të Llogarasë. Ministria e Infrastrukturës nuk iu përgjigj pyetjes së noa.al se sa është kosto totale e kësaj rruge. /noa.al