Transmetuar më 27-08-2022, 21:51

Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare.

Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Në këtë mënyrë, serbët janë tërhequr nga kaosi që krijuan dhe këmbëngulja shumëvjeçare dhe praktikisht ata kanë njohur zyrtarisht mjetet e identifikimit të Republikës së Kosovës dhe për rrjedhojë, kanë njohur faktikisht shtetin e Kosovës.

Ky është një lajm i mirë për shqiptarët e Kosovës dhe pritet të jetë hapi pararendës i vendimit të Bashkimit Evropian për të zhbllokuar më më fund pas një padrejtësie disavjeçare, lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Albin Kurti ka dhe një mesazh: "Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit.

Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë.

Falënderoj ndërmjetësit, zotërinjtë Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan Hovenier për angazhimin dhe kontributin". /noa.al