Transmetuar më 29-08-2022, 13:21

Rritja e kriminalitetit në Shqipëri, me një seri vrasjesh ku dominojnë ato të sofistikuara dhe me pagesë, është shoqëruar ditët e fundit me përfolje se Gledis Nano po i thotë lamtumirë postit që mori vjeshtën e shkuar.

I emëruar si drejtor i Policisë së Shtetit me një bujë që pasoi operacionet për riatdhesimin e disa shqiptarëve në vatrat e luftës në Lindjen e Mesme, Gledis Nano erdhi në postin më të lartë policor me një përkrahje të fortë të ambasadës amerikane në Shqipëri.

Por këto gati 12 muaj në detyrë, Nanon e ndoqi "fati" me një serial krimesh të rënda ku shumë prej tyre janë me pagesë. Pjesa më e madhe e këtyre krimeve mbeten pa autorë.

Policia, ndonëse në sektorë të tjerë, si ajo rrugore, ka shkëlqyer me reagim të shpejtë dhe aktiv, në pjesën e parandalimit të krimeve dhe zbardhjen e tyre duket se ka dështuar dukshëm.

Kjo mendohet të jetë arsye kryesore e një ikjeje të mundshme këto e ditë e Gledis Nanos.

Burime zyrtare në Policinë e Shtetit, nuk e konfirmojnë një largim momental të Gledis Nanos, por as e mohojnë atë.

Në një përgjigje për noa.al, zyrtarë të Policisë së Shtetit thanë se Nano është kë keye të detyrës. Megjithatë ata pohojnë se asgjë zyrtare nuk ka ende nëse ka dhënë ose jo dorëheqje Drejtori i Përgjithshëm i  Policisë së Shtetit. /noa.al