Transmetuar më 29-08-2022, 15:45

KOSOVË- 5 burra dhunojnë për disa orë një të mitur. Ngjarja e rëndë është shënuar në Prishtinë.

Mediat në Kosovë shkruajnë se e mitura është rrahur për shtatë orë nga 5 burrat, dy prej të cilëve janë arrestuar nga Policia e Prishtinës.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar (njëri madhor dhe tjetri i mitur), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Më tej, Ulaj deklaron se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Teksa shton se nuk mund të japin informacione shtesë në këtë fazë. Ky rast është përfshirë edhe në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës, ku thuhet se pas intervistimit viktima është dërguar në një qendër strehimi.

“DHUNIM /Prishtinë 27.08.2022-17:30-00:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.