Transmetuar më 01-09-2022, 08:04

Numri i përdoruesve të internetit në Kinë arrin 1.05 miliardë, 99.6% në celularë

Numri i përdoruesve të internetit në Kinë arriti në 1.05 miliardë në qershorin e këtij viti, 99.6 për qind e të cilëve përdorues në celularë, sipas Raportit të 50-të Statistikor mbi Zhvillimin e Internetit të Kinës, të publikuar nga Qendra e Informacionit të Rrjetit të Internetit e Kinës të mërkurën.

Në raport vihet në dukje gjithashtu se 74.4 për qind e popullsisë kineze ka tani qasje në internet, me mjete të larmishme si telefonat celularë, kompjuterët personalë, laptopët, televizorët dhe kompjuterët tablet.

Deri në qershor 2022, rrjeti optik gigabit i Kinës kishte kapacitetin për të mbuluar më shumë se 400 milionë familje, dhe 1.85 milionë stacione bazë 5G u vunë në funksionim, duke mundësuar mbulimin me rrjetin 5G të çdo konteje dhe fshati.

Numri i përgjithshëm i përdoruesve të internetit fiks me brez të gjerë të tre kompanive kryesore të telekomit – “China Mobile”, “China Telecom” dhe “China Unicom” – arriti në 563 milionë, 27.05 milionë më shumë se në fund të vitit 2021. 527 milionë ndër ta përdorin internet me shpejtësi 100 Mbps ose më shumë, duke përbërë 93.7 për qind të të gjithë përdoruesve.

Ndërtimi i infrastrukturës së internetit në zonat rurale është përmirësuar, dhe të gjitha fshatrat administrative kanë internet me brez të gjerë, duke e rritur shkallën e depërtimit të internetit në zonat rurale në 58.8 për qind, 1.2 pikë përqindjeje me shumë krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar.

Me mundësi të ndryshme për qasjen në rrjet, koha mesatare javore në internet e përdoruesve ishte 29.5 orë, një orë më shumë krahasuar me dhjetorin 2021. Përpjesëtimi i përdoruesve të internetit që përdorin telefonat celularë arriti në 99.6 %. Kompjuterat personalë, laptopët, televizorët dhe kompjuterat tablet janë përdorur nga përdoruesit e internetit përkatësisht me 33.3, 32.6, 26.7 dhe 27.6 për qind.