Transmetuar më 03-09-2022, 11:56

Një biznesmen shqiptar është shpallur i zhdukur në Greqi dhe familja është e shqetësuar për fatin e tij. Xhani Hamit Topalli, 46 vjeç, sipërmarrës në fushën e ndërtimit, nuk gjendet që nga e diela e kaluar dhe kërkimet për të ende nuk kanë sukses, raporton noa.al duke cituar gazetën Dhimokratiki.

Për herë të fundit, Xhani Topalli u pa të dielën në mbrëmje në Faliraki, ishulli Rodos ku dhe banon me familjen e tij.

Policia lokale tha se po kërkon të dhëna që mund të çojnë në zbardhjen e zhdukjes së mistershme të 46-vjeçarit kontraktor ndërtimi Xhani Topalli, baba i tre fëmijëve të mitur. Sipas hetuesve, çështja është e ndërlikuar. I zhdukuri është përballur me mori borxhesh që ua kanë njerëz të cilët kanë marrë shërbimet ndërtimi prej tij. Vetëm në orët pas zhdukjes kishte dy kontakte për shlyerje borxhesh ndaj tij, takime që nuk u realizuan.

Zhdukja e tij ka shkaktuar shqetësim tek të afërmit dhe miqtë pasi periudha e mungesës së tij, gati një javë, është e pazakontë. Celulari i tij rezulton i fikur, ndërsa është zhdukur edhe makina e tij, Honda CRV 4×4.

Bashkëshortja dhe vëllai i Xhanit, të shoqëruar nga avokati Mina Tserkis, njoftuan dje Prokurorin Publik, drejtorin e Drejtorisë së Policisë Dodekanez dhe oficerët e NënDrejtorisë së Sigurisë Rodos, të cilët thanë sot se ka nisur hetimi dhe përpjekje për gjetjen e të zhdukurit.

Sipas informacioneve, 46-vjeçari është gjendur pasditen e së dielës me një grup shokësh dhe në mbrëmjen e së njëjtës ditë do të takohej me një klient në një njësi hoteliere.

Kamerat e vëzhgimit deri më tani kanë zbuluar se ai ishte nisur drejt zonës, ndërsa ende nuk ka përfunduar verifikimi i bisedave të tij dhe gjurmimi i celularit.

Të gjitha daljet nga ishulli u kontrolluan (Kolonas dhe porti Akadia dhe nisjet nga aeroporti) por asgjë nuk doli.

Përditësim/ Gjendet makina e Topallit

Efektivët e policisë duke kryer një hetim të imtësishëm thanë të shtunën se gjetën makinën Honda CRV 4×4, ngjyrë blu, me xhama të hapur dhe pa çelësa, në Kalythies, në një pikë shitjeje mermeri.

Një dëshmitar vendas tha se makina gjendej aty që nga mëngjesi i së hënës.

Hetimi në kompaninë e telefonisë celulare zbuloi se celulari i të zhdukurit ishte i heshtur që nga mbrëmja e së dielës.

Dëshmia e re, Topalli u pa edhe të hënën

Teksa zhdukja e Xhanit u konstatua nga familjarët, mbrëmjen e së dielës, një kamerier në një restorant në Faliraki ka dëshmuar se mesditën e së hënës, Topalli ka ngrënë në restorant bashkë me dy bashkatdhetarët e tij shqiptarë dhe një djalë 10-vjeçar.

Një dëshmi e dytë vjen nga një ushtar që tha se e kishte parë në të njëjtën zonë të hënën në mesditë.

Shumë borxhe të pambledhura

Për shkak të punës si kontraktor ndërtimi, Xhani kishte llogari të hapura dhe po përpiqej të mblidhte detyrimet ndaj tij.

Policia thotë se është për t’u habitur që ai nuk iu përgjigj një takimi që kishte të hënën në mëngjes me një hotelier që do të shkonte për një pagesë 30 mijë euro për punën që Topalli kishte bërë. Hotelieri e kërkoi dhe kontaktoi me njerëz të njohur të Topallit.

Një natë më parë (të dielën) Xhani dyshohet se kishte një takim me një hotelier tjetër me të cilin kishin rënë dakord për shlyerjen e borxheve të hotelierit nga një projekt tjetër. Vetë hotelieri njoftoi autoritetet se takimi i tyre ishte anuluar. /noa.al