Transmetuar më 03-09-2022, 22:21

Cilët meshkuj janë më të rrezikuar nga sëmundja e rëndë kur preken nga koronavirusi? Hulumtimet e reja japin përgjigjen që mund të shqetësojë një kategori meshkujsh përfshirë ata në moshë të re.

Vëzhgimi nxori se në mesin e meshkujve të diagnostikuar me koronavirus, ata me nivele të ulëta të testosteronit kanë më shumë gjasa të sëmuren rëndë dhe të nevojitet shtrim në spital sesa ata me nivele normale të hormonit, sikurse evidenton një studim i ri shkencor amerikan.

Rritja e testosteronit tek meshkujt me nivele të mangëta mund të zvogëlojë rrezikun e tyre për t’u sëmurë rëndë nga koronavirusi, citon noa.al, publikimin e bërë nga JAMA Network Open.

Studiuesit nga fakulteti i ​​Mjekësisë së universitetit të Uashingtonit dhe atij në Saint Luis, thanë se 723 meshkuj, që ishin infektuar me kovid, u përfshinë në studim.

Prej tyre, 427 kishin nivele normale të testosteronit (300 deri në 1000 nanogramë për decilitër), 116 kishin nivele të ulëta, ndërsa 180 kishin nivele të ulëta në fillim, por i kishin rritur ato përmes terapisë hormonale, kështu që ishin kthyer në nivele normale ndërsa ishin infektuar me Covid-19.

Vëzhgimi zbuloi se ata me testosteron të ulët kishin rreth dy herë e gjysmë më shumë gjasa për t’u shtruar në spital. Por nëse meshkujt me testosteron fillimisht nën normale, kishin marrë më pas terapi hormonale, atëherë ata nuk kishin më shumë gjasa të kishin nevojë për shtrim në spital për shkak të koronavirusit.

Shkencëtarët vlerësojnë se testosteroni i ulët (nën 200 nanogramë) është një faktor rreziku për shtrimin në spital për shkak të Covid-19, i ngjashëm në ashpërsi me diabetin, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet kronike të mushkërive. Prandaj, ata besojnë se meshkujt me nivele shumë të ulëta të këtij hormoni do të mbrohen më mirë nga koronavirusi nëse rrisin nivelin e testosteronit me terapi të veçantë hormonale.

Një e treta e meshkujve nën 30 vjeç kanë testosteron të ulët

Ka shumë gjasa që Covid-19 (SARS-CoV-2 të jetë këtu për të qëndruar gjatë, ndryshe nga Sars që u zhduk disa vite pas epidemisë 2004-2005. Shtrimet në spitale për shkak të Covid-19 janë ende një problem dhe duket se të vazhdojnë të jenë problem edhe në të ardhmen, sepse virusi po evoluon vazhdimisht në variante të reja që i shpëtojnë imunitetit edhe nga moria e vaksinave dhe dozave që po merren.

Nga ana tjetër, testosteroni i ulët është shumë i zakonshëm, me një të tretën e meshkujve mbi 30 vjeç që e kanë atë të tillë. "Studimi ynë nxjerr në pah këtë faktor të rëndësishëm rreziku”, tha studiuesi kryesor Abinav Dewan, Profesor i Mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit dhe Spitalin Barnes-Jewish.

Meshkujt me testosteron të ulët mund të përjetojnë mosfunksionim seksual, humor të rënë, nervozizëm, vështirësi në përqendrim dhe memorie, lodhje kronike, humbje të forcës së muskujve dhe mirëqenie të përgjithshme të ulët.

Kur cilësia e jetës së një burri ndikohet mjaftueshëm, ai zakonisht i drejtohet terapisë së zëvendësimit të hormoneve.

Por kur simptomat janë ende relativisht të lehta, atëherë mjekët hezitojnë të japin një trajtim të tillë sepse ka shqetësime për një rrezik të shtuar të kancerit të prostatës dhe sëmundjeve të zemrës.

Janë pikërisht këta meshkuj me testosteron të ulët të patrajtuar dhe ndoshta të padiagnostikuar që mund të jenë më të rrezikuar nga Covid-19 i rëndë.

“Studimi ynë tregon se do të ishte e mençur të shikonim nivelet e testosteronit, veçanërisht te njerëzit me simptoma kovidi dhe kur hasen nivele të ulëta të këtij hormoni, të bëhet një trajtim i individualizuar, duke diskutuar të mirat dhe të këqijat e terapisë hormonale”, tha Dr. Dewan. /noa.al