Transmetuar më 06-09-2022, 19:50

Qeveria federale në Gjermani, shpalli me detaje paketën financiare direkte për qytetarët, duke akorduar plot 65 miliardë euro që njerëzit të mos ndjejnë pasojat e krizës evropiane.

Kancelari Scholz iu drejtua qytetarëve duke i siguruar: “Nuk do të jeni kurrë vetëm, ne kurrë nuk do ju lëmë vetëm”.

Ai foli me terma konkrete: Transporti publik do të financohet përmes biletave të lira në të gjitha mjetet si autobusë, trena, tramvaji, metro, etj.

Pas biletave speciale 9 euro, tani qeveria ofron bileta speciale 49 deri në 69 euro në muaj që lejojnë lëvizje të pakufizuar në të gjithë vendin.

Për qiratë, familjet me një person do të marrin 415 euro për rimbursim. Për familjet me dy persona, kjo shumë është 540 euro dhe 100 euro shtesë për çdo anëtar shtesë të familjes.

Për pensionistët jepen 300 euro përmbi pensionin mujor.

Për studentët jepen 200 euro në muaj.

Shtohen përfitimet dhe shtohet pagesa pët fëmijët, me 18 euro në muaj shtesë për fëmijën e parë dhe të dytë.

Qeveria po ashtu ka në plan të vendosë një tavan çmimi për konsumin e energjisë. Për një sasi të mjaftueshme për jetesë normale, do të ketë çmim të reduktuar.

Konsumatorët duhet të paguajnë çmime më të larta vetëm kur konsumojnë më shumë.

Për të frenuar rritjen e çmimeve dhe humbjen reale të të ardhurave për punonjësit, qeveria federale ka vendosur të çlirojë nga taksat, vlerat mujore deri në 3,000 euro. Në këtë mënyrë, punonjësit do ta marrin plotësisht neto pagën e tyre mujore.

Furnizimi me energji i garantuar

Kancelari Scholz theksoi gjatë konferencës së tij për shtyp se Gjermania nuk do të përballet me mungesën e energjisë dimrin e ardhshëm. Kapaciteti i magazinimit të gazit në Gjermani është plot 85 për qind.

Kostoja prej 65 miliardë euro është më shumë se dy paketat e mëparshme të ndihmës së bashku. Në total, arrin në 95 miliardë euro shuma e ndihmës për shkak të inflacionit të lartë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. "Kjo është shumë, por është e nevojshme," tha Scholz.

Ndërsa Gjermania po jep paketën e tretë të ndihmës duke u dhënë lekë taksapaguesve gjermanë nga të ardhurat që shreti përfton, në Shqipëri, qeveria ka bllokuar deri tani shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike si dhe dha për 3 muaj, 9 mijë lekë gjithsej, për pensionistët që nuk jetojnë me fëmijët. /noa.al