Transmetuar më 07-09-2022, 18:52

Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot një vendim me efekt të menjëhershëm që i jep kompanisë Gjikuria, mbi nëntë mijë metra katrorë me kontratë 1 euro për ndërtimin e resortit White Roads Hotel në bregdetin e Jugut.

Vendndodhja e truallit është në Gjilekë, Bashkia Himarë, në zonën bregdetare të Dhërmiut, në Drimadhes, pranë Monumentit Natyror "Delta e Përroit të Palasës”,

Në VKM që u publikua sot, zyrtarizohet dhënia e "miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërsa nuk thuhet sa është kohëzgjatja e kësaj kontrate me kompaninë WRH (e Gjikuria), krijuar në fund të 2020.

Më herët, me vendimin nr 1/6, datë 5 prill 2022 të Komitetit të Investimeve Strategjike, u miratua statusi “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar”, për 4 vjet.

Sipas të dhënave të QKB që publikon Open Corporates, kompania ka thënë se do të investojë 10 milionë euro.

Sakaq, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka konfirmuar se sipërfaqja ku do të zhvillohet projekti ndodhet në afërsi të Monumentit Natyror “Delta e Përroit të Palasës”, kategoria e III e zonave të mbrojtura, shpallur me VKM Nr. 187, datë 25 mars 2021. /noa.al