Transmetuar më 07-09-2022, 20:31

Kosovë- Një nga përdhunuesit e 11-vjeçares në Prishtinë, Ekrem Rexhepi, 26 vjeç, është transferuar mbrëmjen e djeshme në burgun e sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës. Kjo lëvizje ka ngritur dyshime se ai mund të jetë dhunuar nga të burgosurit e tjerë në qelinë e paraburgimit ku po qëndronte pasi u arrestua.

Megjithatë, lajmi është hedhur poshtë nga zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi i i cili sipas Express ka deklaruar se Rexhepi është dërguar atje për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm ndaj tij.

“Nuk është sulmuar. Është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë për çështje të sigurisë së tij, për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm për shkak të veprës për të cilën dyshohet”, ka thënë Gashi.

Nga ana tjetër, avokati i Rexhepit, Fitim Limani, ka deklaruar se mbrëmë është njoftuar nga Gjykata për transferimin e klientit të tij në Burgun e Sigurisë së Lartë, pasi ka qenë i sulmuar nga të burgosurit e tjerë.

“Gjendja e tij s’është e mirë, mbrëmë kam marrë informatë prej gjykatës që ai ndodhet në burgun e Sigurisë së Lartë, është transferuar nga Prishtina pasi ka qenë i sulmuar nga të burgosurit e tjerë. Transferimi ka ndodh meqenëse i është rrezikuar edhe jeta, për shkak të sulmeve që ka pasur nga të burgosurit e tjerë, ia kanë ndërru pra qendrën e paraburgimit”, ka deklaruar ai.