Transmetuar më 08-09-2022, 07:50

Tiranë- Rritja e kostove të ndërtimit pritej, pasi ky sektor ka lidhje të drejtpërdrejtë me çmimin e naftës dhe energjisë. Rritja ka vijuar edhe në tremujorin e dytë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke sinjalizuar për një vazhdim të rritjes së çmimeve të apartamenteve.

E njëjta tendencë është shënuar dhe për prodhuesit, që po shohin kosto 20.5% më të shtrenjta se në tremujorin e dytë 2021. Ndërsa është ngadalësuar rritja e çmimeve të importit në tremujorin e dytë 2022, sërish mbeten 10.7% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Kjo tendencë sinjalizon se konsumatorët do të vijojnë të përballen me çmime të larta, pasi kostot e rritura nga bizneset do të transferohen në çmimin final për prodhimet që kanë destinacion tregun vendas, apo për shitjen e apartamenteve.

Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e dytë 2022 arriti 107,8 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e dytë 2022 është 6,2%, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,3%. Tendenca është ndikuar nga shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe lëndëve të para.

Sipas INSTAT, Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 15,5%, pasuar nga grupet, “Kosto të tjera” me 6,7%, “Shpenzime materiale” me 6,6%, “Shpenzime makinerie” me 4,1%, “Shpenzime për paga” me 2,9% dhe “Shpenzime transporti” me 1,2%. Brenda grupit “ Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi”, shënuan rritjen më të madhe me 7,8%, pasuar nga nëngrupi “Materiale ndërtimi” me 6,9% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 4,7%.

Prodhimi, 20.5% më i shtrenjtë se një viti më parë

Prodhuesit po përballen me rritje gjithnjë e më të larta të kostove, si për produktet në tregun vendas ashtu dhe ato për eksport.

Sipas INSTAT, Në tremujorin e dytë të vitit 2022, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 122,1 kundrejt vitit 2020. Krahasuar me tremujorin e dytë 2021 Indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi një rritje me 20,5%, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,6%. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në tremujorin e dytë 2022 shënoi rritje me 3,3%, krahasuar me tremujorin e parë 2022.

Krahasuar me tremujorin e dytë 2021 rritja me e madhe e çmimeve prej 44,9% vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse” pasuar nga seksionet “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar” me 28,5%. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” ka shënuar rritje me 16,9%.

Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 30,9%, pasuar nga aktivitetet “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 28,6%, “Prodhimi i produkteve metalike të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve” me 25,2%, “Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutikë” me 23,6%, etj. Nga ana tjetër ulja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Prodhimi i pajisjeve elektrike” me 6,3%, pasuar nga seksionet “Prodhimi i mjeteve të transportit, rimorkiove dhe gjysëmrimorkiove” me -2,3% dhe “Prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 0,2%.