Transmetuar më 08-09-2022, 10:36

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot atë që ai e quajti Paketën e re të Rezistencës Sociale e cila tha se ëshë konceptuar si një mbështetje afatmesme, në kuadrin e krizës globale që në Shqipëri ka reflektuar përmes rritjes shpesh abuzive të çmimeve për produkte dhe shërbime nga tregtarët dhe kompanitë e tjera private.

Kryeministri Edi Rama tha se do të ketë në tetor 2022 shtesë të pagës për administratën publike me shtatë për qind në muaj, mbi nivelin e pagës aktuale bruto, raporton noa.al e cila ndoqi konferencën për shtyp.

Në të vërtetë siç Rama dhe ministret e tij Belinda Balluku dhe Delina Ibrahimaj thanë, bëhet fjalë për indeksim të pagave dhe jo rritje të tyre.

Kjo është hera e parë që administrata publike në rreth 9 vjet përfiton shtesë page përmes indeksimit, pavarësisht se inflacioni ka qenë gjithnjë në rritje.

Aktualisht inflacionit sipas qeverisë është 7.5 për qind, por shumë njerëz thonë se në të vërtetë rritja e çmimeve më 2022 është shumë më tepër sesa kaq.

Më herët në korrik, qeveria aplikoi rritje pagash për ushtarakët, mjekët, infermierët dhe mësuesit.

Nga indeksimi 7 për qind i pagave të administratës përfitojnë dhe policia e shtetit dhe policia e burgjeve. /noa.al