Transmetuar më 13-09-2022, 18:45

Kosovë- Një deklaratë e fortë u bë nga eksperti i sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi, i cili tha se inteligjenca iraniane është mbështetur nga anëtarë të Komunitetit Mysliman në Shqipëri për të kryer këto sulme.

Për të folur më shumë për këto deklarata, eksperti Elezi ishte i ftuar sot në emisionin “Zona Zero”, me moderator Thimi Samarxhiu, së bashku me ekspertin nga Shqipëria, Ergys Muzhaqi.

Eksperti Bedri Elezi i mëshoi deklaratës së tij, teksa tha se edhe institucionet ndërkombëtare janë në dijeni për këto informacione

“Sa i përket pretendimeve, fatkeqësisht qëndrojnë. Edhe institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë janë në dijeni, po i monitorojnë këto veprimtari të dyshimta. Disa raste numri më i madh i aktiviteteve që janë të dyshimta nuk kanë arritur të dalin në media. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka 882 xhami që veprojnë dhe ka elemente që janë të pakontrollueshme. Ka xhami dhe imamë jashtë kontrollit që janë bërë pre e ndikimeve dhe aktiviteteve të spiunazhit. Infrastruktura ka rënë pre e këtij ndikimi.”- deklaroi ai.

I pyetur se si është i mundur një bashkëpunimi i tillë mes komuniteti mysliman sunit në Shqipëri dhe atij shia në Iran, eksperti Elezi deklaroi se këta perona që marrinë përsipër spiunazhin dhe sulmet kibernetike janë profesionistë që dinë si të bisedojnë me burimet e tyre, dhe në këtë rast sipas tij kanë arritur që të gjejnë rrugën për t’i bindur.

“Sipas informacioneve që kemi, që i kanë dhe autoritet e sigurisë, këto janë veprime spiunazhi nga profesionistët që dinë si komunikojnë me burimet e tyre, dinë si të shfrytëzohet autoriteti i tyre me qëllim që të justifikojnë lëvizjet e tyre për të kaluar pa dyshime dhe pa hetim.”- deklaroi ai.