Transmetuar më 14-09-2022, 13:20

Tiranë- Qeveria njofton se kur do të rritet paga minimale si dhe pensionet. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka prezantuar vendimet e marra në mbledhjen e qeverisë. Ajo tha se ndryshimet nisin të aplikohen nga 1 tetori 2022. Paga minimale nga 32 mijë lekë të rinj, do të shkojë në 34 mijë lekë, ndërsa pensionet rriten me 6%.

“Bëhet fjalë për vendimin e Këshillit të Ministrave për indeksimin e pensioneve në nivelin 6 % në krahasime çfarë ishin pensionet më parë. Me këtë indeksim të dytë e çojmë rritjen e pensioneve në nivelin 9.5% në krahasim me pensionet që merreshin në fund të vitit të kaluar", tha Ibrahimaj.

Gjithsesi ajo nuk përmendi faktin se 9 mijë lekë gjithsej për muajt prill, maj, qershor, i përfituan vetëm pensionistët që nuk ishin në certifikatë familjare me fëmijët e tyre, por duhet të ishin të ndarë!

Me indeksimin aktual, duket se përfitojnë të gjithë kategoritë e pensionistëve. Janë rreth 678 mijë pensionistë të cilët nga pensioni që do marrin në muajin tetor 2022, një rritje të pensioneve të tyre 6 %”.

“Paga minimale do të shkojë 34 mijë lekë dhe ky është një vendim që prek një numër të madh të punësuarish dhe vetëpunësuarish, mbi 200 mijë vetë.

Në total kemi rreth 900 mijë qytetarë që përfitojnë nga pensionet dhe rritja e pagave minimale ”, tha Ibrahimaj. Nuk dihet sa përfitojnë nga rritja e pagës minimale qytetarët me paga të ulëta, pasi rritja e vazhdueshme e pagës minimale, dihet se bëhet nga qeveria që të shtojë sa më shumë vlerën mujore të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të detyrueshme për çdo të punësuar dhe të vetëpunësuar.

Ministrja foli dhe për bordet e transparencës, që duket se nuk kanë frenuar rritjen e çmimeve dhe mbajtjen vazhdueshëm të çmimeve të rritura. Disa ekspertë thonë se konkurrenca po pengohet përmes bordeve që fiksojnë çmimet.

“Kemi vendosur që jemi një qeveri që mbështet tregun e lirë, dhe jo ndërhyrje në përcaktim çmimesh, por kohë të jashtëzakonshme na ndikojnë për vendime të jashtëzakonshme. Të dyja këto borde kanë bërë punën e tyre. Do vazhdojmë të mbajmë bordet, përsa kohë do ndikohemi nga rritje eksponenciale e çmimeve ndërkombëtare me qëllim garantimin që qytetarët të paguajnë çmimin më të ulët të mundshëm dhe limitim të spekulimeve me çmimet”.