Transmetuar më 15-09-2022, 23:31

Pas ngjarjes që trazoi rrjetin, reagon Policia e Kosovës.

Prej ditës së djeshme qarkullon në rrjet një video e shkëputur nga reality show “It’s my Home” në Kosovë ku një banor ka lëshuar shapkën drejt fytyrës së banores tjetër. Kjo sjellje e patolerueshme nxiti reagimin e opinionit publik duke kërkuar mbylljen e emisionit dhe hetimin e çështjes nga organet përkatëse.

“Lidhur me ngjarjen në fjalë pas përfundimit të fazës fillestare të hetimit si dhe intervistimit të disa personave policia është udhëzuar nga prokurori i shtetit që të hapet rasti”, ka thënë zëdhënësja e PK-së për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Çfarë ndodhi në emisionin “It’s my home?”

Vajza në fjalë ka ofenduar dhe sharë nga familja një banor dhe ky i fundit, nga gjaknxehtësia e ka goditur vajzën me shapkë. E reja shihet duke qarë por askush nuk e ndihmoi. Teksa u sulmua, banorja dëgjohet duke thënë: “S’jam ardhë unë mem rreh këtu”.

Ndërkohë që një banore dëgjohet teksa i thotë dhunuesit “bravo, mirë ia bëre”. Mirëpo, të shumtë kanë qenë komentuesit që kanë reaguar në rrjet. Shumë shkruanin se duhet të ndërhyjë në mënyrë kategorike Policia e Kosovës pasi një vajzë u dhunua në një show televiziv.