Transmetuar më 17-09-2022, 10:59

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se janë kapur 50 kilogram drogë të llojit marijuanë në kufirin me Kosovën.

Sipas një deklaratë për media, autoritetet serbe shkatërruan një rrjet kontrabande dhe transporti lëndësh narkotike që vinte nga Shqipëria, kalonte nëpër Kosovë me synimin të përfundonte në Serbi.

Nga ky aksion kanë mbetur të arrestuar pesë persona të cilët kishin transportuar drogën.

Tek dy personat me inicialet S.M (1993) dhe I.Z (1999) është kapur një sasi e drogës prej 30 kilogramëve dhe tek të arrestuarit e tjerë A.D (1980), G.K (1973) dhe G.K (1981) është gjetur pjesa tjetër e marijuanës dhe pak kokainë.

Ministria e Brendshme e Serbisë informon se tre të arrestuarit e fundit e kishin dërguar sasinë e drogës nga Kosova në Serbi me një makinë e cila, ishte e shënuar me shenjën e misionit të OSBE-së.

Ata janë arrestuar derisa kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes ku ishte planifikuar ta linin dërgesën.

“Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës me kallëzim penal do t’i dorëzohen Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd”, thuhet në njoftim.